Paguan trajneri Çaçiç, por Kroacia rrezikon shumë në Ukrainë!

“Miku” i presidentit të Federatës, Ante Çaçiç, nuk është më trajner i Kroacisë. Dështimi i bujshëm në “Maksimir” të Zagrebit ndaj Finlandës (1-1) bëri që të humbej vendi i parë në grupin eleminator dhe të rrezikohej seriozisht kualifikimi për në Botëror. Skuadra kroate, një nga më të talentuarat në rruzull, është 2 pikë prapa Islandës, dhe baraz me Ukrainën, ndaj së cilës do të luajë të hënën në Kiev. Një finale e vërtetë në fushë kundërshtare, për më tepër pa Brozoviçin e dëmtuar dhe me Mario Manxhukiçit në dyshim. Çaçiç pagoi për punën e tij jo bindëse, por kjo nuk i jep kualifikimin Kroacisë.

Në Stadiumin Republikan të Kievit do të jetë shumë e vështirë ndaj vendasve me moral të lartë, lojë të shpejtë dhe forcë të madhe fizike. Momenti i mirë i futbollit ukrainas shihet edhe tek forma e klubeve në kupat e Europës, me Shahtarin e Donjeckut dhe Dinamon e Kievit që po bindin me lojë, ndërsa Kroacisë iu eleminua para kohe nga Skënderbeu shqiptar, edhe skuadra më e fortë, Dinamo e Zagrebit.

Sfidanti.al