Osimhen “mahnit” arabët, Al-Hilal gati 200 milionë euro për “bomberin” nigerian

Vetëm pak ditë më parë, “gjigandët” arabë të Al-Hilal bëri një ofertë prej 130 milionë eurosh për “bomberin” e Napoli, Viktor Osimhen, mirëpo shuma ishte e pamjaftueshme për Presidentin De Laurentis, i cili e refuzoi atë. Mirëpo, pavarësisht refuzimit, arabët nuk duket se kanë ndërmend të ndalen dhe sipas raportimeve më të fundit të prestigjiozes italiane, “Corriere dello Sport”, bordi i Al-Hilal është i gatshëm të ofrojë fillimisht 160-170 milionë euro e në rast të një refuzimi të dytë oferta mund të shkojë deri në 200 milionë euro.

Përsa i përket kontratës personale, Osimhen mund të përfitojë një kontratë të vlefshme për 3-5 vite, ku do të paguhet minimalisht 45 milionë euro në sezon, megjithatë duket se këto shifra nuk “lëkundin” italianët, me vetë Presidentin De Laurentis, që pritet të takohet me agjentin e lojtarit për rinovimin e kontratës. Në krahun tjetër, “bomberi” nigerian, nuk është i vetmi “napoletan” për të cilin interesohen arabët, pasi në “lupën” e këtyre të fundit është dhe “dirigjenti” i mesfushës së “bluve”, Pjotër Zilinski, për të cilin do të ofrohen 30 milionë euro.

 

sfidanti.al