Leo, mos e tepro tani! E qartë që je futbollisti më i mirë i botës, por kjo nuk do të thotë asgjë jashtë stadiumeve. E qartë edhe që nuk ke shumë dëshirë të paguash detyrimet sipas ligjit, pasi ndryshe nuk do të ishte dënuar për shmangie nga taksat. Gjithsesi, të shkon në mendje se mund të bësh bamirësi. Mediat shkruajnë se ylli i Barcelonës, që pritet të nënshkruajë kontratën me rrogë 35-40 milionë euro në vit, ka vendosur të dhurojë për njerëzit e varfër mbetjet ushqimore të dasmës së tij luksoze në qytetin e lindjes, Rozario në Argjentinë.
Dhurimi bëhet nëpërmjet Bankës Ushqimore në Rozario, e cila ka vendosur të pranojë gjithçka me përjashtim të pijeve alkoolike (që janë jashtë politikës së saj), dhe kjo lloj bamirësie do të kthehet në para. Padyshim, nuk mund ta paragjykojmë Mesin dhe të shoqen se po bëjnë hipokrizi, ndoshta kjo do të ishte e tepërt. Gjithsesi, shumë më tepër bamirësi dhe rezultat për të varfërit jep taksa e re e shtetit spanjoll që i merr yjeve si Leo deri në 45-47 për qind të pagës vjetore, sesa veprimi i vetë futbollistit. Deri pak vjet më parë, Spanja kishte taksë më të ulët, rreth 24 për qind për futbollistët milionerë, ndërsa tani e ka rritur atë në nivelin e shteteve të tjera të mëdha europiane, si Anglia, Gjermania apo Italia, ndërsa Franca ka “dorë” edhe më të “rëndë”.
Sfidanti.al