Hamilton thyen rekordin e provave të lira në Austri, jep mesazh për Fetelin

Diferenca me kreun është 14 pikë, por Ljuis Hamilton dëshiron të shfrytëzojë në maksimum 12 garat e mbetura në kalendarin e Botërorit të Formula 1, për të qenë ai kampioni. Piloti anglez e vazhdoi ndjekjen në “Red Bull Ring”, në pistën e Çmimit të Madh të Austrisë, duke dhënë një mesazh në provat e lira për kryesuesin, Sebastian Fetel.

Anglezi i Mercedesit dha kohën 1’05”975, më e shpejta që është realizuar ndonjëherë në këtë pistë, ndërsa gjermani i Ferrarit mbeti gati 5 të dhjetat prapa. Padyshim që Fetel është disi i rënduar psikologjikisht pas asaj që ndodhi në Azerbajxhan, dhe faljes publike që i kërkoi Hamiltonit, por gjithsesi një pilot 4 herë kampion i botës pritet ta përballojë pa shumë problem këtë situatë.

Pra, diferenca (pavarësisht se në provat e lira) është për shkak të paketës së makinave në tërësi. Për ta bërë më shqetësuese gjendjen për Ferrarin, vjen lajmi se Hamilton e vendosi rekordin austriak me gomat më të ngadalshme, pra pritet të jetë më i shpejtë në provat zyrtare. Pas anglezit, u renditjën Maks Verstapen i Red Bullit me kohën 1’06”165 dhe shoku i tij i skuadrës tek Mercedesi, Valteri Botas me 1’06”345.

Sfidanti.al