“O ne, o ai! Yjet e Barçës duket se e kanë me presidentin Bartomeu!

Gerard Pike është shprehur se bordi drejtues i Barcelonës ishte i fundit që mësoi se Nejmar po largohej. Futbollistët kryesorë të skuadrës janë të mendimit, siç njofton media, se transferimi i brazilianit tek Paris SG ishte një biznes i menaxhuar shumë keq, ndërsa nuk ngurrohet të flitet për “luftë civile” mes drejtuesve dhe skuadrës. Barcelona provoi një nga stinët e verës më të këqija në historinë e saj, me një konflikt të brendshëm që nuk mund ta fshehë më, dhe me një pikëpyetje të madhe mbi të ardhmen e presidentit Zhozep Bartomeu.

Largimi i Nejmarit, pas atij të Luis Enrikes dhe pas nostalgjisë së hapur të Pep Guardiolës për ish-presidentin Laporta, është një tablo që po bëhet edhe më e frikshme nga e ardhmja e paqartë e Mesit. Shtylla e Barçës, lojtari i cilësuar gjerësisht si më i miri në botë, nuk do të ishte aspak çudi nëse do të largohej, me Guardiolën dhe Mançester Sitin që janë gati të japin 300 milionë euro.

Edhe në bord ka luftë. Agusti Benedito ka deklaruar se do të kërkojë votëbesim për Bartomeun në forumet e larta të klubit, ndërsa i duhen 15 për qind e votave për ta bërë. A mund të jetë Benedito presidenti i ri? Sido që të shkojë, tek Barcelona duhet një ndryshim vërtet i madh, përpara sesa gjendja të bëhet e pashpresë.

Sfidanti.al