Stadiumi “Balaidos” i Vigos u mendua si vendi i shenjtë ku mund të ndodhte mrekullia. Për Realin shpresa ishte e madhe, por ajo u shua 8 minuta para fundit, kur Selta vendase barazoi dhe e bëri edhe më të zi sezonin e nxirë të kampionëve të Europës, të Spanjës dhe të Botës. Me 16 pikë më pak sesa Barcelona, pak ngroh fakti që madrilenët kanë një ndeshje më shumë për të luajtur, madje shumëkush pyet nëse mund ta fitojnë edhe atë.
Reali i Zidanit nuk di të shënojë shumë gola, dhe as të fitojë. Duket paradoksale pasi shënoi 2 herë në Vigo, por ka gjithsej 32 rrjeta në 17 ndeshje të këtij kampionati, me një mesatare turpëruese, duke shënuar më pak edhe se Valencia, pa përmendur Barcelonën që ka realizuar 48. Edhe Selta ka 32 rrjeta, dhe Sociedadi 31, jo më Madridi që kishte në fushë Ronaldon, Bejlin, Krosin, Modriçin, Kasemiron, ndërsa më pas u aktivizuan Lukas Vaskez apo Asensio.
Zinedin Zidan rrezikon shumë dhe ai e di mirë këtë, por nuk ka çfarë të bëjë përveçse të përsërisë refrenin se “unë jam i qetë, unë kam besim”.
Reali i tij pësoi gol nga Selta në 33’, kur shënoi Vas, por reagoi me dy rrjetat e Garet Bejlit po në pjesën e parë. Pas pushimit, madrilenët sikur u zhdukën nga fusha me magji, pasi nuk bënë dot thuajse asgjë. Iago Aspas, për fatin e tyre, humbi penalltinë e parë në karrierë, pritur nga Kejlor Navas, por barazimi erdhi në 82’, kur shënoi Maksi Gomez. Barcelona ka tani 48 pikë, ndaj 39 të Atletikos e 37 të Valencias, ndërsa Reali ka 32, me një ndeshje më shumë për të luajtur.
Sfidanti.al