Lionel Mesi e Luis Suarez ishin “dhëndurët” e Barcelonës në sfidën e La Ligës ndaj Levantes. Përballë një kundërshtari që luajti shumë më mirë sesa e tregon tabela dhe rezultati 3-0, katalanasit festuan për argjentinasin dhe uruguajanin. Leo kremtoi në mënyrën e duhur ndeshjen e tij të 400-të në kampionat për Barçën, duke shënuar golin e avantazhin, në mënyrën e tij me klas.
Janë 365 rrjeta për numrin 10, me mesatare gati 1 për ndeshje, diçka e jashtëzakonshme duke pasur parasysh se nisi të luante në ekipin e parë që në vitin 2004, pra kur ishte 17 vjeç. Mesi bëri edhe më shumë në këtë ndeshje, duke krijuar golin e tretë shënuar nga Paulinjo, pas një aksioni të shkëlqyer personal.
Suarez shënoi golin e dytë, pas topit të Sergi Robertos, duke lënë pas një legjendë të historisë së “Kamp Nout” si Samuel Eto. Kamerunasi kishte shënuar 131 gola, uruguajani arriti në 132 dhe padyshim që do të shënojë edhe më shumë. Vetëm emra yjorë si Mesi, Sezar, Kubala, Samitier, Eskola apo Paulinjo Alkantara kanë shënuar më shumë sesa ai.
Trajneri Valverde bëri eksperimentet e tij, duke zëvendësuar Iniestën, duke lënë në stol Pikenë, e duke provuar në krahun e djathtë Usman Dembelenë, në skemën 4-4-2. Valverde duket se po përgatitet për sfidat në Champions ndaj Çelsit.
Sfidanti.al