Nuk ka fund turpi për Tiranën, kapitullimi i dytë në Europë i legjendës!

Nuk mund të flitet përpara kohe. Kështu i tha futbolli, Tiranës duke e ndëshkuar me një humbje edhe më të rëndë ndaj Makabit të Tel Avivit, sesa ajo e përballjes së parë. Përfundoi 0-3 takimi i kthimit të turit të parë të Ligës së Europës, dhe skuadra shqiptare u eleminua me rezultat të përgjithshëm 0-5.

Nëse sfida në Izrael i dha shpresë klubit më të madh shqiptar, por më të turpëruarit sezonin e fundit, ky 90 minutësh ishte një goditje e rëndë. Nuk bëri punë as trajneri Ze Maria, me zellin e tij të madh, as disa nga të huajt e sjellë prej tij, apo disa nga lojtarët e rinj dhe interesantë bardheblu. Makabi ishte formacioni profesionist, ndërsa Tirana e tregoi veten si një ekip më afër amatorizmit, duke u dorëzuar plotësisht që pas pësimit të golit të parë në minutën e 50-të.

Ka dyshime për mënyrën sesi kryeqytetasit pranuan dy rrjetat e tjera, por le të presim nëse do të ketë komente nga agjencia që monitoron bastet, “Federbeti”. E vërtetë, që në futboll ndodh gjithçka, por jo pak akuza ka pasur ndaj klubeve shqiptarë, me buxhetet e tyre të shkatërruar, madje tashmë kemi edhe dënimin e dyfishtë të Skënderbeut.

Liga e Europës i shërbeu Tiranës së presidentit Halili thjesht për të sjellë nja 200 000 euro në llogarinë bankare dhe për t’ dhënë pak më shumë moral një skuadre të dërrmuara nga rrëzimi prej Superligës. Gjithsesi, tani fillon pjesa më e vështirë. Njëzetekatër herë kampionët do ta nisin edicionin e ri në Kategorinë e Parë, aty ku nuk kanë qenë kurrë. Detyra e tyre imperative është rikthimi në elitë, ndryshe pasojat sportive dhe financiare do të ishin të rënda.

Sfidanti.al