Nuk mund të numërohen futbollistët francezë që Arsen Venger ka sjellë tek Arsenali. Janë kaq të shumtë, saqë shpesh në Angli është bërë shaka duke e quajtur trajnerin si një “menaxher të futbollit francez në Angli”, por ai nuk ka ndërmend të heqë dorë nga ky rregull.
Francezi i fundit, më i shtrenjti nga të gjithë (madje, më i shtrenjtë edhe se jofrancezët) është Aleksandër Lakazetë, i cili u bashkua me londinezët për 60 milionë euro (53 milionë paund stërlina). Lakazetë është në moshë shumë të përshtatshme, 26 vjeç, dhe ka firmosur një kontratë 5-vjeçare. Ai menjëherë shprehu ambiciet për të fituar Premier Ligën me Arsenalin si dhe trofe të tjerë.
Me 110 gola në 190 ndeshjet e fundit me Lionin, ai ka qenë një nga sulmuesit më të mirë të ligës franceze, duke u shpallur golshënuesi numër 1 në 2015, si dhe lojtari më i mirë i sezonit. Edicionin e fundit shkëlqeu duke realizuar 28 gola në 30 ndeshje dhe doli shënuesi i dytë më i mirë i ligës, pas Edinson Kavanit të Paris SG.
Venger ndërkaq, kërkon edhe Tomas Lemarin (Monako) dhe Rijad Mahrezin (Leister), ndërsa më parë ka blerë mbrojtësin Kolashinac. Tashmë, trajneri duhet të zgjidhë enigmën e sulmit ku janë Aleksis Sançez, Olivie Zhiru. Ky i fundit besohet se do të largohet, ndërsa kiliani ende nuk dihet se çfarë do të bëjë.
Sfidanti.al