Nuk i duket fundi krizës së Barcelonës, mjafton Mesi për t’ia dalë?!

Në një nga klubet më të mëdhenj të botës, gjendja është si në prag të luftës civile. Nuk janë nxjerrë ende “alltijet”, por gjithsesi armiqësia është sheshit, dhe nuk mjaftojnë justifikimet e presidentit Bartomeu apo kërkesa e faljes nga drejtori sportiv, Abidal, që kjo gjë të ndryshojë. Duket se lajmet e dala në media mbi përpjekjet e klubit për të diskredituar yjet e tij, kanë bërë dëm të pariparueshëm. Shfajësimet e Bartomeut thjesht i bënë të nënqeshin kapitenët katalanas, sidomos Mesin e Pikenë. Ky i fundit është sulmuar më shumë në rrjetet sociale, ndërsa argjentinasi më pak, por kjo nuk ndryshon gjë. Nga Spanja, shkruhet se Bartomeu nuk ka ndërmend të japë dorëheqje apo të shpallë zgjedhje të reja. Edhe më keq për të, dhe për klubin, pasi kriza besohet se do të vazhdojë. Nuk dihet nëse, në këtë gjendje të nderë, do të mjaftojë klasi i Mesit për të fituar trofe, dhe nëse yjet katalanas do të kenë mundësi të ruajnë qetësinë për t’ia dalë. Reali në Madrid shprehimisht po fërkon duart.

Sfidanti.al