E kishte thënë që kur në stol ishte Valverde, që “më mirë e nis lojën në stol dhe pastaj hyj si zëvendësues, sesa të jem titullar dhe të zëvendësohem gjatë ndeshjes”. Kështu ka thënë Lionel Mesi dhe kështu u bë. Ndihmësi i Ronald Kumanit, Alfred Shrojber, deklaroi se “kur një lojtar nuk është i freskët ai duhet të ulet në stol, janë luajtur shumë ndeshje deri tani”. Kapiteni hyri në lojë në nisje të pjesës së dytë dhe u bë faktori kryesor i fitores 5-2 ndaj Betisit, ashtu si edhe kartoni i kuq për Mandinë në 62’.
Mesi shënoi dy gola, por do të mbahet mend më shumë për asistin e veçantë dhënë për Antuan Grizmanin. Nëse Sergi Roberto nuk do të kishte qenë ofsajd kur pasoi, Mesi do të kishte pasur 3 gola dhe do ta kishte marrë me vete në shtëpi topin e ndeshjes. Ai ka 447 gola në La Liga në vetëm 492 ndeshje, ndërsa ka 640 me klubet dhe 711 rrjeta gjithsej në karrierë. Një arritje e shkëlqyer për një nga më të mirët e historisë në mos për më të mirin. “Mesi nuk ishte në gjendje për të luajtur titullar, – tha Kuman, – fola me të pas ndeshjes me Dinamon kur kishte shqetësime fizike. E kishim në stol sepse kishim nevojë për të”.
Sfidanti.al