Bajerni merr derbin e Gjermanisë, por humbet Kimihun e dëmtuar!

Nuk është turp kur të mund ekipi kampion dhe besohet se Dortmundi do të jetë më mirë gjatë sezonit. Bajerni fitoi 3-2 në “Signal Iduna Parkun” pa tifozë, duke u shkëputur i vetëm në krye të renditjes së Bundesligës, e duke dhënë paralajmërimin më të qartë se duan të fitojnë titullin e 9-të radhazi.

Dueli ishte thuajse i barabartë, në kuptimin që Dortmundi mbajti topin paksa më shumë (52 për qind), realizoi pak më shumë pasime (525-495), dhe gjuajti paksa më shumë drejt portës, 15 ndaj 14 të bavarezëve. Të dyja skuadrat vrapuan thuajse njësoj, 121.46 km Borusia dhe 121.84 km kampionët.

Bajerni u shqetësua shumë nga lëndimi i Xhoshua Kimihut. Futbollisti i kombëtares gjermane doli shpejt nga fusha, që në minutën e 36-ët, pas dëmtimit që pësoi, dhe kjo është padyshim një goditje e rëndë për Bajernin. Pavar ishte i dëmtuar që më parë.  Rojs shënoi në 45’, Alaba barazoi 4 minuta më pas, po në pjesën e parë pas asistit të marrë nga i përhershmi Tomas Myler, ndërsa me të nisur pjesa e dytë Levandovski shënoi “golin e tij” (48’). Në vijim, sulmuesi polak u vu në rolin e asistuesit për Leroi Sanenë që thuajse siguroi fitoren bavareze në 80’. Gjithsesi, pati kohë për Halandin që shkurtoi shifrat tre minuta më pas me mjaft gjakftohtësi.

“Ndeshja ishte në mënyrë sensacionale shumë e mirë, – tha Hansi Flik më pas, – pati shumë cilësi në fushë. Pati shumë raste për të shënuar për të dyja skuadrat. Në fund, ne ishim pak më shumë të vendosur, ndaj besoj se fitorja ishte e merituar. Duhet të ndreqim gabimet”. “Ne patëm shumë raste për të shënuar, – tha Lysien Favre i Dortmundit, – duhet të jemi pozitivë sepse luajtëm mirë, ndeshje e bukur për t’u parë në TV. Veçse, ne pësuam 3 gola dhe humbën, kjo është e vështirë për t’u pranuar”.

Sfidanti.al