Një “gjevrek” për Gjokoviçin: Eliminohet nga “Rolan Garosi”

Fituesi i vjetshëm i “Rolan Garosit”, serbi Novak Gjokoviç, u eliminua, në mënyrë eksprese, në çerekfinale të këtij  turneu prestigjioz që po zhvillohet në Paris, nga austriaku Dominik Tim me rezultatin e pastër 0-3 (5-7, 3-6 dhe madje edhe 0-6)! Njohësit e mirë të këtij “sporti të bardhë”, në fakt, u befasuan nga performanca e dobët të raketës nr.2 të botës, sidomos, në setin e tretë, të cilin ai e humbi 0-6, pra, pa fituar asnjë gejm, duke siguruar, kështu, një të ashtuquajtur “gjevrek” (ka formën e zeros), për herë të nëntë na karrierën e tij (e treta herë në një Grand Slam si ky i “Rolan Garosit”), pra, kur e humb një set me rezultatin 0-6.

“Dukej sikur Gjokoviçi nxitonte, sikur ai kishte një drekë të porositur, gjetkë në Paris, dhe, kështu nxitonte që ta mbaronte ndeshjen sa më shpejt”, shkruante, sot, “Telegrafi” britanik, duke theksuar se Gjokoviçi, në një mënyrë shqetësuese, bëri shumë gabime gjatë ndeshjes. Mbas kësaj fitoreje, austriaku Tim, në gjysmëfinale, do të ketë përballë kampionin e nëntëfishtë të “Rolan Garosit”, Rafael Nadal, që u kualikua midis katër më të mirëve të turneut, pasi Pablo Karenjo-Busta e dorëzoi ndeshjen çerekfinale, për shkak të dëmtimit.

Sfidanti.al