Nuk do të ndodhë padyshim asgjë e tillë, ndërsa sezoni është ende tepër i ri, por në prag të këtij derbi gjithçka duket si një “betejë finale”. Mançester Junajtid-Mançester Siti është një nga derbit më të vështirë të kohëve të fundit, me dy ekipet edhe larg, edhe afër kreut të tabelës, dhe në një edicion ku kanë dalë kaq shumë pretendentë për titull. Totenhemi, Liverpuli, Çelsi dhe Leisteri janë mbi dy ekipet e Mançesterit, edhe pse këta kanë nga një ndeshje më pak, dhe kjo gjë do të vazhdojë pas kësaj të shtune, të paktën për njërin nga ekipet.
Junajtid vlerësohet si “bishë e plagosur” pasi u eleminua nga Championsi, ndërsa mediat angleze shkruajnë se skuadra e trajnerit Solskjer mund të jetë edhe tepër e “prekshme”, pra e goditshme, por edhe shkatërruese, dy fytyra që mund të shfaqen edhe brenda një ndeshjeje të vetme. Kevin De Brujn, ndërkaq, ylli i Sitit, i bën thirrje shokëve që të jenë të vëmendshëm sepse Junajtidi do të kërkojë të bëjë kthesë pas eleminimit në mesjavë, ndërsa u kujton se bilanci i keq i kohëve të fundit në “Old Traford” duhet të marrë fund. Sfida luhet në 18:30, me Junajtidin që ka 19 pikë e Sitin 18 (me nga 10 ndeshje), ndërsa Totenhemi e Liverpuli kryesojnë me nga 24 pikë në 11 ndeshje.
Sfidanti.al