Më parë ishin Kievo e Veronës dhe Udineze, ndërsa Atalanta e ngjiti gjithçka një nivel më lart. Këta ishin klubet e vegjël të futbollit italian, që guxuan të ngjisnin shkallët e një hierarkie të paprekshme, duke arritur deri në çerekfinale të Championsit (Atalanta), me pak buxhet, por me shumë mend. E papritura e re në Apenine e ka emrin Sasuolo dhe duket se një ndryshim i madh ka ndodhur në një vend kaq tradicionalist, ku Juventusi, Milani dhe Interi nuk mund të zbriteshin nga froni.
Me fitoren 1-0 ndaj Beneventos, Sasuolo u ngjit qoftë edhe përkohësisht në vend të dytë në Serinë A, me 22 pikë ndaj 21 të Interit e 20 pikëve të Napolit e Juventusit. Në një ndeshje të vështirë, Domeniko Berardi shënoi në 8’, pastaj vendasit mbetën me 10 vetë nga i kuqi i Haraslinit, por u mbrojtën “bunker” në gati 45 minuta. Trajneri mik, Pipo Inzagi, u ankua në mënyrë “elegante” për gjykimin”, ndërsa pak ditë më parë Sasuolo pati fat edhe ndaj Romës, por kjo nuk i heq asnjë meritë skuadrës së trajnerit Roberto De Xerbi (De Zerbi).
Sasuolo është ekip me talente të rinj, me një lider si 26-vjeçari Berardi dhe synon Europën. Natyrisht, ka para pasi financohet nga familja Skuinci që zotëron kompaninë Mapei, por gjithsesi është realitet i ri dhe me financa shumë më poshtë nga gjigandët. “Ne mund të përmirësohem, – thotë trajneri, – nuk jemi në më shumë se 70 për qind të potencialit”.
Sfidanti.al