Një “9” e vërtetë për Realin, Luka Joviç është “galaktiku” i ri i Madridit!

E nisi rrugën nga një qytet i vogël boshnjak, për të mbërritur në kryeqytetin e futbollit. Luka Joviç, një sulmues 21-vjeçar serb, e arriti tepër shpejt kulmin e karrierës, për të luajtur në klubin më të madh të botës, Realin e Madridit. Klubi i tij, Ajntrahti i Frankfurtit dhe spanjollët arritën një akord mbi bazën e 60 milionë eurove, plus 5 milionë të tjerë në bazë të rezultateve.

“Luka Joviç është një madridist, – njoftoi zyrtarisht Reali në faqen zyrtare në Instagram, – Reali dhe Frankfurti arritën akordin për transferimin e futbollistit, ndërsa pritet vizita mjekësore”.

Historia e tij është ajo që mund të ishte e çdo fëmije shqiptar, që dëshiron të bëhet futbollist profesionist. Lindi në qytetin e Bijeljinës, në Republikën Srpska të Bosnjë-Hercegovinës, por shpejt kaloi në Beograd, ku u formua tek klubi kryesor, Crvena Zvezda.

Sakrificat e babait Milan dhe nënës Svetlana nuk shkuan kot, siç ndodh shpesh në Shqipëri, pasi kultura e akademive të futbollit në Serbi nuk e lejoi një gjë të tillë. Familja Joviç u pagua me 50 euro për çdo ndeshje që fëmija i tyre i vogël do të luante, si dhe iu mbulua shpenzimi i rrugës Bijeljina-Beograd e kthim.

Pas 3 sezonesh me Zvezdën, ai kaloi tek Benfika, ku luajti shumë pak me ekipin e parë, por ku ra në sy për talentin. Frankfurti nuk ngurroi aspak ta merrte hua, dhe basti doli fitues. Në tre sezone ai erdhi duke e rritur lojën e tij, fitoi Kupën e Gjermanisë vitin e kaluar dhe ndihmoi ekipin të arrinte në gjysmëfinale të Ligës së Europës.

Tashmë, golat e tij do të jenë për Realin, klubin e madh që ka nevojë të zëvendësojë rrjetat e munguara të Kristiano Ronaldos. Në Spanjë theksojnë se madrilenët më në fund morën një numër 9 tipik, 10 vjet pasi morën Karim Benzemanë.

Sfidanti.al