Nga mungesa e finesës te shqetësimet e Ramosit, Spanja nuk bind

Mund ta dominosh një ndeshje dhe mund të mos e fitosh atë. Kështu i ndodhi Spanjës në duelin eleminator të Botërorit ndaj Greqisë, që përfundoi 1-1 edhe pse u luajt në Gadishullin Iberik. Goli i Alvaro Moratës nuk mjaftoi dhe grekët barazuan me penallti pas pushimit. “Nuk e prisja të humbisja pikë me Greqinë, – tha trajneri Luis Enrike, – ndaj një kundërshtari të tillë që mbrohet në thellësi, që ka forcë fizike dhe disiplinë në prapavijë, ne na mungoi finesa në një të tretën e fundit të fushës për të depërtuar e për të shënuar golat”.

Ndoshta ndaj Gjeorgjisë mund të jetë më ndryshe, ndonëse edhe kaukazianët u mbrojtën fort ndaj Suedisë, kurse më pas me Kosovën pritet më e lehtë sepse skuadra e trajnerit Shaland luan në përgjithësi hapur. Luis Enrike shpjegoi se përse e nxorri nga loja kapitenin Sergio Ramos pas pushimit. “Ai ishte në formën e duhur për të luajtur, por kishim folur që përpara që ai do të luante vetëm një pjesë”, – tha trajneri. Besohet se ai nuk deshi ta sforconte Ramosin, i cili mungoi për shumë kohë për Realin për shkak të një dëmtimi.

Sfidanti.al