Nga Hani e Panuçi, tek mosha e Rejës, jo gjithmonë në FSHF kanë “qëlluar në shenjë”!

Kur holandezi erdhi në stolin kuqezi, në Federatë e lavdëruan shumë, ndonëse ai do të ulej në stolin që kishte lënë bosh legjendari Oto Bariç. Theksohej fakti se ai ishte holandez, ish-yll i Ajaksit dhe pëlqente futbollin sulmues. Kur u mor vesh se letrat si trajner i Anderlehtit, Shtutgartit apo Kamerunit nuk të bënin patjetër të zotin, ishte tepër vonë. Disa vjet më vonë, pikërisht pas De Biazit “me nishane”, erdhi Kristian Panuçi. Ish-lojtar shumë i mirë i Milanit, Romës, Realit, ndërsa presidenti Duka mendoi se kishte gjetur “Guardiolën e tij”. Doli “pemë pa kokrra”, apo siç thoshte i paharruari Lym Alla, “carac”. Në fund, Edi Reja, një emër i shquar i stolit, por me moshën maksimumi për drejtor sportiv, sidomos vitet e fundit. Presidenti pranoi se Reja duhej larguar për shkak të moshës dhe mungesës së energjisë, ndërsa një trajner shqiptar si Shpëtim Duro thotë se “kombëtarja ishte ekip pa disiplinë taktike”. Duka thotë se ka gabuar vetëm me Panuçin, por llogaritë dalin ndryshe.

Sfidanti.al