Luis Figo u mor për 60 milionë euro në vitin 2000, por kanë mjaftuar 17 vjet që ky rekord botëror të duket qesharak. Reali i Madridit e ka thyer pesë herë që prej asaj kohe këtë rekord, shenjë kjo e popullaritetit gjithnjë e më të madh të futbollit, si një biznes shumë i suksesshëm dhe gjithnjë e më shumë global në një botë që ende është duke dalë në “dritën e qytetërimit”. Shifra më e fundit, ajo prej 180 milionë eurosh për të marrë një 18-vjeçar nga Monako, emri i të cilit do të mbahet mend (ndoshta, jo shumë gjatë), Kilian Mbape.
Në vitin 2001, rekordi i ri ishte ai i trajnerit të sotëm madrilen, Zinedin Zidan, me 77.5 milionë euro dhënë Juventusit për kartonin e francezit. Kaka u pagua 65 milionë euro (anglezët e quajnë rekordin e ri botëror në stërlina, me 50 milionë ndaj 46 milionë të Zizusë, por kjo vetëm për shkak të rënien e vlerës së paundit), ndërsa Kristiano Ronaldo u duk kulmi i çmendurisë me 94 milionë euro në 2009, por Garet Bejl u bë “mbreti i ri i transferimeve” me pagesën e 100.8 milionë eurove nga Reali për Totenhemin në 2013.
Vitin e kaluar ishte Mançester Junajtid që vendosi rekordin e ri me marrjen e Pol Pogbasë nga Juventusi për 105 milionë euro dhënë Juventusit. Mbape, pra, do të jetë rekordmeni më i fundit me 180 milionë euro, ndonëse Paris SG mund ta kalojë këtë shifër, me një tjetër shumë magjike, atë të 222 milionë eurove nëse merr Nejmarin nga Barcelona.
Sfidanti.al