Nëse sezoni kërkon që skuadra të jetë në konkurrim me rivalët e Superligës, tek Tirana duket se po mendojnë të jenë në konkurrim me ata që i akuzojnë për disa gjëra. Pasi shpërthyen fjalët për ndërhyrje të presidentit Halili në punët e trajnerëve, të pohuara nga Dede dhe Egbo, përgjigja u dha edhe në konferencën e prezantimit të trajnerit të radhës, Orges Shehi.
Edhe pse kryeqytetasit kanë pasur 9 trajnerë në 5.5 vjet, që nga vera e 2015-ës e deri më sot, sërish presidenti Halili deklaroi se nuk është penduar për vendimet që ka marrë. “Nuk jam aspak i penduar, – tha ai, – trajnerët qendrojnë nëse kanë rezultate, kur nuk kanë i pari që paguan është trajneri”. Që nga vera e 2015-ës, Tirana ka pasur Shkëlqim Muçën, Ilir Dajën, Mirel Josën, Ze Marinë, Ardian Memën, Julian Ahmatajn, Emanuel Egbonë, Nevil Deden dhe tani Orges Shehin.
Shehi deklaroi se “bisedova për shumë orë me presidentin dhe nuk pati asnjë kërkesë për formacionin, por vetëm që të kemi rezultate”. Halili sqaroi se ai ka ndërhyrë me sugjerime ndaj trajnerëve, por pa dashur t’u prishë punë dhe këtë uroi që të bëjë edhe për Shehin. Tirana doli vjet kampion me Egbonë, ndërsa ndodhet në vendin e 6-të në renditjen e 10 ekipeve në Superligë, 16 pikë larg Vllaznisë së vendit të parë.
Sfidanti.al