A ka të drejtë Pioli për optimizmin pas humbjes me Interin?!

Trajneri i Milanit mund ta ketë thënë në formë sfiduese ndaj fatit dhe vështirësive, si dhe për të bindur lojtarët se asgjë nuk është humbur. Gjithsesi, një tjetër disfatë vetëm pak ditë pas të parës (0-3 me Atalantën), dhe që i shtohet goditjes së marrë nga Juventusi (1-3) mund të shkaktojë një traumë tek Milani. Stefano Pioli nxiton të garantojë të vetët. “Mora përgjigje të rëndësishme sepse vinim nga një humbje e shëmtuar, – tha ai, – kur ishim 11 me 11, ndeshjen po e përballonim dhe ishim në avantazh. Nuk e bëri diferencën stoli i Interit, por kartoni i kuq”.

Pioli i heq pak veshin me dashamirësi Ibrahimoviçit sepse “në rastin e të verdhës së dytë mund ta kishte ulur pak ritmin e vrapit. U tregua më shumë bujar sesa duhet duke dashur të ndihmonte ekipin”. Pioli thotë se del me më shumë besim dhe optimizëm pas kësaj humbjeje, por e vërteta është se portieri Tatarushanu ishte lojtari më i mirë në fushë, pra epërsia e Interit ishte e dukshme edhe kur ishin 11 me 11.

Sfidanti.al