Aq shumë kemi filluar të bëjmë për të huajt, saqë po ekzagjerohet duke shpikur mënyra, për të treguar se dashuria jonë nuk njeh limite. Këtu nuk interesohet më njeri, se sa i bie në qafë qytetarëve të këtij vendi, mjafton që të ardhurit të ndjehen më rehat edhe se në shtëpinë e tyre natyrale. Izrealitët na komanduan një dy-tri ditë, madje duke na sorollatur nëpër Shqipëri, qoftë edhe për të gjetur stadiumin e ndeshjes, ndërsa kur ne udhëtojmë, asnjëherë nuk gjejmë një trajtim, maksimumi të përafërt. Të gjithë e mbajnë mend se si u kujdesën për të na “kënaqur” në Beograd, ndërsa kur erdhën serbët, u shtynë e u përplasën vendasit, për të lënë hapësira të mjaftueshmë për të ardhurit, që duheshin respektuar.
Por nuk është se bëjnë më shumë edhe vende më miqësore, siç është Italia. Që pas njohjes me shortin, për ndeshjen e marsit Itali – Shqipëri, u mendua se stadiumet më të përshtatshme do të ishin ato midis Romës apo Milanos. Dhe arsyeje ishte, se për shkak të intresimit në të dy anët e Otrantos, “Olimpiko” dhe “San Siro” kanë kapacitet më të madh, që mund t’i plotësojnë kështu kërkesat e të dy tifozerive. Më pas u mendua Torino, ndërsa tani po flitet për një spostim të mundshëm të takimit në Siçili, apo në Sardenjë. Italianët, pavarësisht se superiorë në fushë, janë të gatshëm t’i shfrytëzojnë të gjitha avantazhet dhe stadium i Palermos është ideali, pasi flitet për një komunitet ku nuk ka numër të madh shqiptarësh, ndërsa për të mbërritur deri në “Renzo Barbera”, duhet të marrësh parasysh një udhëtim të kushtueshëm. Ndërsa kur të vijnë italianët, sigurisht që do t’i dorëzojmë çelësat e Shkodrës, apo Elbasanit… siç kemi bërë me të gjithë.