Kishte gati çerek shekulli që nuk e bënte. Golden Stejt shënoi të paktën 125 pikë në 5 ndeshje radhazi në NBA, për herë të parë që nga viti 1992, ndërsa në përbërjen e saj ndodhet dyshja ndoshta më e fortë e kampionatit.
Stefën Kërri shënoi 35 pikë dhe Kevin Durant i qendroi pranë me 30 të tjera, në një sukses në fushën e Torontos. Kërri dhe Durant, si gjithnjë ishin të frymëzuar në Arenën e qytetit kanadez, ndërsa nënkampionët fituan 127-121. Kontributi i madh i dyshes bëri që të lihej pas një pjesë e parë jo shumë e mirë, ndërsa u duk se Toronto do të fitonte.
Golden Stejti po tregon më në fund lojën e rrjedhshme kolektive, që e bëri vjet skuadrën më të suksesshme në histori në fazën e rregullt të sezonit. Në 39 kosha të shënuar, 30 ishin të kombinuar me shërbim asisti, diçka që ndodhi po ashtu për herë të pestë radhazi.
Ky ishte triumfi i 9-të i Uorriorsit në këtë kampionat, dhe skuadra nga Kalifornia është në të njëjtin nivel me Klivlendin, që u mund në fushën e Indianës.