Në Itali thonë se në Kupën e Italisë fitoi specialisti Inzagi!

Ka gjashtë trofe dhe që të gjitha i ka të njëjta. Interi ka në stol një trajner si Simone Inzagin që me të drejtë cilësohet specialist i kupave, dhe ja ku arriti një tjetër objektiv. Skuadra zikaltër u kualifikua për në finalen e Kupës së Italisë pas fitores 1-0 ndaj Juventusit në “San Siro”, me rezultatin e përgjithshëm 2-1. Gjithçka ishte e merituar për një ekip që ka një ndryshim kolosal në konkurrime me eliminim direkt në krahasim me një turne të gjatë si Seria A, ku për momentin rrezikon kualifikimin në Champions. Nuk dihet nëse tifozët apo drejtuesit janë plotësisht të kënaqur, por Interi është në finalen e Kupës dhe në gjysmëfinalen e Championsit, pra Inzagi po e shpëton sezonin e tij.

“Zhvilluam një ndeshje shumë të mirë përballë një rivali të fortë, – tha ai, – Luajtëm si një ekip i vërtetë. E donim këtë finale me çdo kusht sepse është objektiv i rëndësishëm. Edhe pse kemi luajtur shumë ndeshje këtë sezon, kalendari ka qenë i ngjeshur, sërish ishim shumë mirë që nga fillimi deri në fund”. “Interi, i bukuri i kupës, shkruan me të drejtë “La Gazeta delo Sporti”, Juventusi i shuar, Inzagi shkon në finale. Vendos Dimarko, pa probleme për zikaltërit!”. “Simone “djeg” Maksin, – titullon “Il Korriere delo Sporti”, duke theksuar duelin mes dy trajnerëve. Interi mund Juven, specialisti Inter në finale!”. Për fat të keq, nuk pati asnjë minutë për mesfushorin e kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani.

Sfidanti.al