Ksavi pranon gabimet: Rajo mbi ne, të kthehemi si ndaj Atletikos!

Nuk rrezikon thuajse asgjë, veçse nuk ndihet aspak mirë. Një Barcelonë e lodhur doli e mundur nga fusha e Rajo Vajekanos, në një ndeshje ku mund të ishte shkëputur në 14 pikë ndaj Realit të Madridit. Katalanasit mbeten në krye të kampionatit spanjoll, të cilin e kanë dominuar si rrallë ndonjëherë, veçse disfata në stadiumin e vogël të kryeqytetit Madrid ishte një lloj mishërimi i gjithë sezonit. Skuadra e trajnerit Ksavi Hernandez nuk ka bindur aspak në Europë, duke u eliminuar turpshëm që në grup në Champions, dhe ndonëse ka fituar Superkupën e Spanjës, provoi një tjetër turpërim siç ishte humbja 0-4 në “Kamp Nou” ndaj Realit duke mbetur jashtë finales së Kupës së Mbretit.

Në Vajekas, vendasit ishin më energjikë, dhe rrezikuan më shumë, me më shumë gjuajtje dhe goditje nga këndi, e duke merituar gjithçka. Alvaro Garsia e Fransisko Garsia shënuan golat, ndërsa katalanasve nuk u mjaftoi goli i Robert Levandovskit 7 minuta para fundit. Në fushë si titullar ishte mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Ivan Balliu, që luajti deri në fund. Trajneri Ksavi foli hapur.

“Jo, jo, nuk ka justifikime, – tha ai, – Na mungoi ritmi i ndeshjes dhe Rajo luajti më mirë. Ka një moment të kampionatit kur rivali mund të jetë më superior ndaj nesh në ndeshje të tilla. Ky nuk është justifikim. Le të mendojmë se të shtunën kemi ndeshje tjetër. Të mendojmë për Betisin dhe të kthehemi tek versioni ynë i mirë që u pa ndaj Atletikos”. Barcelona kryeson La Ligën me 76 pikë ndaj 65 të Realit kur duhen edhe 7 javë për të përfunduar sezoni.

Sfidanti.al