Në futboll ka rëndësi sesa mirë di t’i ekzekutosh veprimet për të cilat je stërvitur dhe sa të përgatitur psikologjikisht janë futbollistët. Mund të jesh Enco Bearxoti apo Johan Krujfi, mund të fitosh me stile të kundërt, por duhet të dish të fitosh. Zhoze Murinjo është nga ata që i ka ngjarë Helenio Herrerës e pikërisht Bearxotit, një “zot i katenaços”, dhe rikthimi i versionit të tij klasik ka bërë që në Angli të kenë besim tek Totenhemi.
Analistë si ish-futbollistët Xhemi Redknap apo Geri Nevil, mendojnë pikërisht kështu pasi ndoqën fitoren e londinezëve ndaj Mançester Sitit të Guardiolës. “Spërsat kanë pasur skuadër shumë të mirë gjatë viteve, – tha Redknapi, – kanë pasur futbollistë të mëdhenj, kanë luajtur futboll të bukur, por nuk kanë fituar asgjë. Nëse tifozët e Totenhemit do të shohin se me këtë stil (të Murinjos) do të fitohen trofe, atëherë ata do ta pranojnë atë. Poçetino krijoi një skuadër të shkëlqyer, por fitoi zero trofe”.
Redknapi pranoi se fillimisht ai nuk kishte pasur besim tek Murinjo, por shton se “ai i bën lojtarët e tij të punojnë kaq shumë, është e pabesueshme të shikosh sesa vrapojnë pa top Harri Kejn dhe Son, është kthyer Murinjo i vjetër, ai klasik”. Kjo ishte fitorja e katërt radhazi e Totenhemit që pas barazimit të papritur 3-3 me Uest Hemin.
Sfidanti.al