U vunë në radhë për t’i bërë hosana ekipit kampion dhe trajnerit të ri. Nuk patën zgjidhje tjetër analistët dhe opinionistët në Angli, pas triumfit 3-0 të Liverpulit ndaj Leisterit, pavarësisht mungesave të shumta të vendase. Në “Anfild” thuajse nuk pati histori, dhe nuk dihet nëse rivalët e tjerë si Totenhemi, Çelsi, Siti e Junajtidi do të kenë fuqi të ndalin “korracatën” e Jurgen Klopit. Ish-kapiteni i Mançester Junajtidi, Roi Kin, e ka thënë me kohë se “do të duhet shumë sforcim që rivalët të ndalin Liverpulin”. Geri Lineker, ish-ylli i Totenhemit, Barcelonës dhe Anglisë, u shpreh pas ndeshjes: “Ju lumtë liverpulas, një fitore e madhe nga një skuadër sipërore, meritë masivisht për Jurgen Klopin që arrin të krijojë një skuadër dhe një lojë të tillë, pavarësisht dëmtimeve”.
Ish-ylli i Liverpulit të viteve 80-të, Mark Lorenson, sot analist në Radio BBC 5, theksoi se kjo ishte ndeshja më e mirë e sezonit për ish-ekipin e tij. “Me gjithë ato mungesa, ne parashikonim që Xhemi Vardi t’i krijonte Liverpulit probleme të mëdha, – deklaroi ai, – por, lojtarët e Liverpulit ishin absolutisht të shkëlqyer. i gjithë Liverpuli ishte i tillë. Duke pasur parasysh mungesat, mendoj se ishte ndeshja më e mirë e sezonit.
Një tifoz liverpulas, shkroi në rrjetet sociale kështu: “Në gjithkush do të kishte qenë shëndoshë, atëherë formacioni do të kishte qenë tjetër, pasi Aleksandër-Arnold, Gomez, Van Dajk, Tiago Hendersoni dhe Salahu do të kishin qenë titullarë. Pra, pa 6 titullarë-standard, Liverpuli mundi lehtësisht në “Anfild” njërin prej pretendentëvë për titull, kjo është diçka e mrekullueshme”. Liverpuli theu rekordin e klubit me 63 ndeshje radhazi në “Anfild” pa humbur, vendosur nga skuadra e madhe e dikurshme në vitet 1978-1980, ndërsa sot mbërriti në 64.
Sfidanti.al