Më në fund, cirku mbaroi dhe u ndezën dritat e futbollit. Mauro Ikardi hyri në arenën e tij, një fushë futbolli, duke shënuar një gol, e duke fituar një ndeshje. Në stol ishte Luçiano Spaleti, që e kishte turpëruar me fjalët e tij pak ditë më parë, ndërsa në skuadër ishte Ivan Perishiç, i cilësuar si armiku kryesor brenda skuadrës së Interit.
Ndeshja nuk ishte aspak e lehtë, por u fitua 4-0 në fushën e Xhenoas, duke treguar jo vetëm rëndësinë e Ikardit për zikaltërit, por edhe se çfarë potenciali kanë milanezët nëse lenë mënjanë përçarjet! Ikardi madje, arriti deri aty, saqë dha asistin për golin e Perishiçit, ndonëse kjo nuk duhet të habisë aspak në kushte normale. Dy golat e tjerë i shënoi Galiardini.
Fitorja bëri që Interi të ngjitet në 56 pikë, 4 pikë mbi Milanin e vendit të katërt, dhe 8 pikë larg vendit të pestë që të nxjerr nga zona Champions. Për Ikardin, ky ishte goli i parë në Serinë A pas 109 ditësh, dhe i 123-ti për ngjyrat zikaltër. Përveç golit dhe asistit, mediat italiane vlerësuan se sulmuesi argjentinas ishte më i miri lojtar në fushë, ndërsa u përgëzua me dashuri në rrjetet sociale nga gruaja dhe agjentja e tij, Uanda Nara.
Sfidanti.al