Nuk do të jetë e lehtë të merren vesh, por as nuk duan që ta humbasin. Amir Rrahmani është njëri nga futbollistët kryesorë të Napolit të trajnerit Luçiano Spaleti, dhe mësohet se klubi italian është gati të bëjë një sakrificë jo të vogël për ta mbajtur. Mediat në Apenine shkruajnë se drejtuesit po punojnë për rinovimin e tre lojtarëve, mes të cilëve edhe mbrojtësi i Kosovës, dhe se për ta bindur që të vazhdojë në stadiumin “Maradona” do të duhet dyfishimi i rrogës. Që do të thotë, nga 1.5 në 3 milionë euro. Mediat italiane informojnë gjithashtu se Rrahmanit i përfundon kontrata në qershor të 2024-ës dhe se ende nuk është gjetur akordi.
Edhe pse Napoli kryeson Serinë A dhe është pranë titullit, e po ashtu është kualifikuar në çerekfinale të Championsit, presidenti De Laurentis nuk dëshiron të rrisë shpenzimet dhe kjo ka krijuar vështirësi. Gjithsesi, për shqiptarin e Kosovës klubi është gati të pranojë rrezikun dhe sakrificën për t’i dhënë rrogën më të mirë të mundshme. “Lulet për Rrahmanin do të lulëzojnë, edhe nëse nuk do të jenë trëndafila”, shkruajnë mediat. Futbollisti 29-vjeçar nga Prishtina ka qenë titullar në shumicën e ndeshjeve këtë sezon, duke shënuar 2 gola e duke dhënë 1 asist në Serinë A, e duke qenë një nga më të mirët për Napolin.
Sfidanti.al