Myrto Uzuni, shqiptari që “hedh nokaut” dhe “çarmatos” rivalët në Ligën e Dytë!

Të mëdhenj janë ata që nuk zbresin nga majat. i tillë Myrto Uzuni, edhe pse po luan në ligën e dytë në Spanjë, ku po tregon se është numri 1. Me golin e shënuar në portën e Burgosit, sulmuesi i kombëtares shqiptare i dha një fitore të rëndësishme Granadës, dhe vazhdoi me “huqin e tij”, tundjen e rrjetave të portave kundërshtare. Sulmuesi 26-vjeçar është shënuesi më i mirë i Ligës së Dytë dhe njëri nga lojtarët e saj më të mirë. Me 11 gola në 20 javë kampionat, shqiptari i dalë nga fushat me baltë të Beratit, po tregon një formë dhe një vazhdimësi që ka habitur jo pak. Sidomos falë tij Granada pretendon seriozisht që të ngjitet në elitë, duke qenë vetëm 4 pikë larg vendit të parë, ndërsa dy skuadrat më të mira ngjiten direkt.

Mediat spanjolle i kushtuan jo pak vëmendje, një lojtari që padyshim e meriton La Ligën. “Uzuni çarmatos Burgosin, – shkruan “Marka”, – Granada i kthehet fitoreve dhe i bashkohet karvanit të kreut!” “Uzuni hedh nokaut Burgosin dhe afron Granadën me kreun”, është komenti i së përditshmes katalanase, “Sport”. “Los Karmenes” është territor i Uzunit”, titullon e përditshmja tjetër e Madridit, AS, me foton në qendër të sulmuesit të kombëtares shqiptare. Sërish “AS”: Kajehoni e feston golin e madh të Uzunit sipas stilit të Murinjos! Beratasi po fiton sfidën me të gjithë sulmuesit e tjerë të ligës, mes të cilëve edhe me patriotin e tij, Armando Sadiku. Sulmuesi 31-vjeçar që luan për Kartagjenën ka 7 rrjeta deri tani dhe padyshim shpreson në një tjetër ftesë në kombëtare, ashtu si dikur.

Sfidanti.al