Murinjo nuk gëzohet me rekordin ndaj Fergit: Titullin nuk e fitojmë

Zhoze Murinjos iu desh shumë pak për të thyer të paktën njërin nga rekordet e Sër Aleks Fergusonit. Trajneri portugez realizoi 25 ndeshje radhazi pa pësuar humbje, një më shumë sesa ajo që arriti skocezi i madh në sezonin 2010-2011, por kjo nuk duket se e gëzon shumë. “Normalisht, kur ke kaq shumë ndeshje pa humbur, e fiton titullin, kurse ne nuk po na mjafton as për vendin e katërt”, – ishin fjalët e tij të sinqerta.

Mançester Junajtid vërtet nuk ka humbur shumë, por as nuk ka fituar aq sa duhet. Barazimi i fundit në “Old Traford” ndaj Suonsit i hoqi një mundësi të madhe për të qenë pranë Championsit sezonin e ardhshëm. Ekipe si Bornmuth, Bërnli apo Hull kanë marrë pikë në shtëpinë e Murinjos, i cili ka përqindjen më të dobët në “Old Traford” që nga 1974 me pak më shumë se 38 për qind të pikëve të fituara. Rekordin e ndeshjeve radhazi pa humbje e ka Arsenali i Arsen Vengerit me 49 të tilla radhazi në 2003-2004.

Sfidanti.al