Murinjo e kalon orbiten, kritikoi lojtarët pasi Junajtidi fitoi 3-0

Zhoze Murinjo është i pakënaqur nga epilogu i ndeshjes së parë të Ligës së Kampioneve mes ekipit të tij të Mançester Junajtidit dhe Bazelit që ai e fitoi bindshëm 3-0 në “Old Traford”. “Speciali” e komentoi ndeshjen sipas stilit të tij të veçantë, “duke ua tërhequr me forcë veshin” lojtarëve të vet. Ai tha se punët shkuan mirë, deri sa rezultati ishtë 2-0, por, më pas, sipas tij, në fushë ndodhën ca gjëra që atij nuk i pëlqyen aspak, në radhë të parë, për shkak të faktit se lojtarët e tij treguan mungesë respekti dhe i nënvlerësuan kundërshtarët.

“Tri pikë në fushën tënde janë të rëndësishme. Kur rezultati ishte 2-0, ne ishim mjaft stabilë, luanim me një vetbesim të madh dhe me lëvizje të mira. Por, mbas 2-0, gjithçka ndryshoi. Ne hoqëm dorë nga loja serioze dhe filluam të bënim budallallëqe në fushë. Filluam të luajmë futboll si në plejstejshën! Mua nuk më pëlqejnë truke dhe lëvizje të sajuara. Asnjëherë, nuk duhet të guxoni të mos ta respektoni kundërshtarin”, tha Murinjo.

Sfidanti.al