Mund dy herë Paris SG, Mançester Siti në finalen e parë të Championsit

Për gjithçka që skuadra franceze dha në “Etihad”, sërish përfundimi ishte ky: Mançester Siti u kualifikua për në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve me dy fitore, 2-1 në Francë dhe 2-0 tani vonë në Angli duke arritur për herë të parë në historinë e tij në një nivel të tillë. Siti nuk është Reali, Barcelona, Bajerni, Milani apo Liverpuli, por për momentin është ekipi numër 1 i Europës, i pari ekip anglez që arrin 11 fitore në një sezon të vetëm të Championsit (plus Kupën e dikurshme të Kampionëve) dhe që arrin 7 radhazi. Siti arrin në finalen e një kupe europiane pas 51 vjetësh, ndërsa ka fituar Kupën e Kupave në 1970 ndaj polakëve të Gornikut të Zabrzes.

Rijad Mahrez shënoi të dy golat në portën e Kejlor Navasit, ndërsa PSG vuajti mungesën e Kilian Mbapesë që mbeti në stol, e Nejmar, Di Maria, Verrati, Markinjos, Herrera, Paredes apo Kimpembe nuk mundën të përmbysnën balancat. Nuk ia vlen të përmendim shumë Mauro Ikardin, në fushë për Mbapenë, që thuajse nuk u duk aspak në fushë. Francezët pretenduan për penallti në fillim, pastaj goditën shtyllën me Markinjosin pasi Mahrez kishte shënuar të parin, krijuan edhe dy raste me Di Marinë si dhe disa rreziqe me Nejmarin, por nuk patën mundësi të pastra.

Siti luajti si skuadër, duke u dalluar në mbrojtje Dias, Stouns, Uolker, Zinçenko e Fernandinjo. Shumë cilësi në fushë nga të dyja skuadrat, ndërsa Guardiola la në stol që të gjithë sulmuesit e  vërtetë, Aguero, Gabriel Zhezus e Stërling, duke i hedhur në minutat e fundit.

Mançester Siti (4-4-2): Ederson, Uolker, Stouns, Ruben Dias, Zinçenko, Mahrez, Fernandinjo, Gyndogan, Foden (Aguero 85’), De Brujne (Gabriel Zhezus 82’), Bernardo Silva (Stërling 82’). Tr. Guardiola

Paris SG: Navas, Florenci, Markinjos, Kimpembe, Dialo (Baker 82’), Herrera (Draksler 62’), Paredes (Danilo 75’), Verrati, Di Maria, Ikardi (Kean 62’), Nejmar. Tr. Poçetino

Sfidanti.al