Mrekullia e Solskjerit, Pogba duket se ka rënë sërish në dashuri me Junajtidin!

Ishte tepër i ri në këtë klub, dhe padyshim që kujtimet e adoleshencës mbeten përherë të shtrenjta. Aq të forta ishin ndjenjat e Pol Pogbasë për Mançester Junajtidin, saqë u kthye me vrap në “Old Traford” që nga Juventusi, ku kishte dalë kampion i Anglisë dhe nënkampion i Europës. Gjithsesi, kohët e fundit francezi ka qenë i palumtur dhe të gjitha parashikimet ishin që ai do të largohej nga “djajtë e kuq”. Me gjasë, për tek Reali apo sërish tek Juventusi.

Sidoqoftë, moti në Mançester ka ndryshuar, dhe po shkëlqen dielli, e ja ku vijnë lajmet se Pogba është gati të rinovojë kontratën! Çfarë ka ndodhur? Mediat britanike shkruajnë se kampioni i botës është i lumtur për ndryshimin e klimës në klub e në skuadër, pas largimit të Murinjos dhe ardhjes së Solskjerit. Jo vetëm që nuk ka probleme personale mes trajnerit dhe mesfushorit, por edhe loja e ekipit është sulmuese dhe tërheqëse, ashtu siç i pëlqen Pogbasë.

Arsyeja tjetër shumë e fortë është afrimi në janar i Bruno Fernandezit. Me ardhjen e portugezit, Pogba nuk është i detyruar që të bëjë rolin e liderit, pasi këtë e merr përsipër ish-kapiteni i Sportingut. Duket që me natyën që ka, Pogba mund të jetë një yll i shkëlqyer, por jo një kapiten, ashtu si tek Franca ku ka lider të tjerë, dhe tek Juventusi ku kishte Bufonin, Kielinin, Pirlon e Tevezin.

Sfidanti.al