Sido që të vijë puna, nuk do ta arrijë dot pagën e Kristiano Ronaldos, pasi Arabia Saudite qenka “planet” tjetër kur vjen puna tek paratë. Gjithsesi, Paris SG do të jetë gjithashtu i jashtëzakonshëm për rrogën tjetër të madhe që do të ofrojë. Pasi siguroi shërbimet e Kilian Mbapesë me rreth 100 milionë euro në sezon, aq sa shkon shuma me rrogë e shpërblime, duket se kjo gjë do të përsëritet për Lionel Mesin. Superylli argjentinas pritet të ketë kontratë të re për sezonin që vjen, pra që do ta mbajë në “Parkun e Princave” deri në 2024, për të mos e lejuar që të kthehet tek Barcelona. Mediat spanjolle dhe franceze shkruajnë se Mesi ka rrogë 30 milionë euro “të pastra” në sezon, pra pas taksave, dhe kjo do të thotë se PSG-ja i jep 60 milionë në total. Tashmë pritet të shihet nëse rroga do të shkojë në 80 milionë apo 100 milionë gjithsej, pra të shikojmë sesa do të jetë rritja, ndërsa Mesi ka vlerë më të lartë pasi doli kampion i botës me Argjentinën.
Sfidanti.al