Në atë kohë luajti rol befasia dhe nënvleftësimi i rivalëve, derisa skuadra nordike u shpall kampione e Europës. U desh përjashtimi i ish-Jugosllavisë për shkak të shpërthimit të luftës civile në vend, që Danimarka të kualifikohej për në Euro 1992 duke shkruar historinë e duke vendosur një rekord. Danezët e sotëm nuk cilësohen aq të shkëlqyer sa ata atëherë kur kishin në ekip Peter Shmajkelin, Jensenin, Larsenin apo Brajan Laudrupin. Gjithsesi, rikthimi në ekip i Kristian Eriksenit ka bërë që skuadra e trajnerit Hjulmand të ketë një entuziazëm të jashtëzakonshëm. Vetë Erikseni luajti ndeshjen e dytë dhe shënoi golin e dytë në fitoren 3-0 ndaj Serbisë, madje kjo u arrit në stadiumin “Parken” të Kopenhagenit, aty ku pësoi vjet atakun e zemrës që desh i mori jetën. Nëse në Euro 2020, faktori “Eriksen” e shtyu përpara Danimarkën deri në gjysmëfinalen ndaj Anglisë, në Kupën e Botës në Katar mund ta çojë edhe më larg!
Sfidanti.al