Mos vallë e kishim harruar Bajernin? Na e kujtoi me 8-0 ndaj Shalkes!

Formacioni është shumë i mirë, por jo i jashtëzakonshëm. Skuadra bavareze ka vërtet yje si Nojer, Kimih, Gnabri, Myler, Sane apo Levandovski, por nuk ka Mesin, Kristianon, Nejmarin, Mbapenë, e përsëri fiton kaq thellë saqë të habit. Nëse dikush kishte harruar se kush ishte Bajerni i gjysmës së dytë të sezonit të kaluar, apo nëse kishte dyshime nga largimi i Tiago Alkantarës, Kutinjos e Perishiçit, kampionia e Gjermanisë ua kujtoi shumë shpejt. Fitore 8-0 ndaj Shalkes në javën e parë të Bundesligës, me një formacion më shumë punëtor e kolektiv sesa me superyje.

Gnabri shënoi 3 gola, Levandovski u bë i pari lojtar në Bundesligë që i shënon një ekipi 10 sezone radhazi, ashtu siç shënuan edhe Myler, Gorecka, Sane dhe i riu Muisala. “Ishte ndeshja e parë e sezonit, por ishim mirë, duke u treguar të guximshëm në lojë, – tha trajneri Flik, – ne mund të kishim shënuar 2-3-4 gola më shumë që në pjesën e parë. Gjithsesi, ishte vetëm fillimi dhe duhet të jemi gjatë gjithë sezonit me mentalitetin e duhur. Jam shumë i kënaqur me lojën”.

Sfidanti.al