Momenti i zi i Bajernit, mediat gjermane “i vërsulen” bavarezëve!

Momenti është krejtësisht i zi. Nuk mund të cilësohet ndryshe ky i Bajernit që, pas eliminimit të rëndë nga Championsi, mori goditjen e radhës në Bundesligë. Disfata 1-3 në fushën e Maincit bëri që kampionët në fuqi të Gjermanisë të zbresin në vendin e dytë, të lënë pas nga Borusia e Dortmundit. Një paraqitje zhgënjyese, kur pritej tjetër reagim, ndërsa kriza vazhdon prej shumë javësh. Jo më kot, Bajerni është eliminuar edhe nga Kupa e Gjermanisë, dhe Bundesliga mbetet objektivi i vetëm i sezonit.

“Mos ndoshta Oliver Kahn po fluturon tepër shpejt tani?”, – pyet e përditshmja “Bild”, që shkruan se shefi ekzekutiv është në rrezik për t’u larguar.  “Bajerni shembet dhe humbet vendin e parë ndaj Dortmundit, – komenton revista e njohur gjermane “Kiker”. Dortmundi është në krye të Bundesligë me 60 pikë pas fitores 4-0 ndaj një ekipi të fortë si Frankfurti. Bajerni ka 59 pikë, ndërsa duhen edhe 5 ndeshje deri në fund të kampionatit.

Sfidanti.al