Ka nisur misioni i fundit i vitit për Realin e Madridit. Skuadra e madhe spanjolle, me famë gjithnjë në rritje, mbërriti në Jokohama ku do të marrë pjesë në Kupën e Botës për klubet. Pasi u bë kampion i Europës në maj dhe pasi triumfoi në Superkupën e Europës ndaj Seviljes në gusht, skuadra e trajnerit Zinedin Zidan, duhet të kompletoi “Grand Slemin”, ashtu siç bëri Barcelona sezonin e kaluar. Futbollistët e shquar Sergio Ramos (në foto), Kristiano Ronaldo, Hames Rodrigez, Marselo, Benzema apo Varan (sa për të përmendur disa) u pritën nga qindra tifozë në aeroport.
Reali do të ndeshet në gjysmëfinale me skuadrën meksikane, Klub Amerika, ditën e enjtem me synim për të arritur finalen e së dielës. Gjysmëfinalja tjetër është ajo mes Atletiko Nasionalit të Kolumbisë (fituese e Kupës Libertadores) dhe Kashima Antlersit të Japonisë. Hera e fundit që Reali mori pjesë dhe e fitoi Kupën ishte në 2014, kur triumfoi në finale ndaj argjentinasve të San Lorencos, ndërsa rivalja e madhe Barcelona ka fituar tri herë me këtë format.