Hoze Maria Kajehon shënoi në minutën e 43-të duke regjistruar një tjetër fitore të Napolit dhe një tjetër faqe të zezë të skuadrave milaneze në Serinë A. Në një sezon të mallkuar, pas barazimit të Milanit ndaj Krotones, ja ku erdhi edhe humbja në “San Siro” e Interit. Napolitanët dolën më të fortë se zikaltërit e Stefano Piolit që po shkojnë nga tronditja në tronditje pas një sezoni mjaft të mirë deri pak javë më parë.
Ishte vetë Interi që ia dhuroi fitoren kundërshtarit, pasi Nagatomo gabimisht i dha sulmuesit spanjoll asistin më të mirë të mundshëm. Humbja e dytë radhazi për ekipin e Piolit që tani as nuk bëhet fjalë të mendojë për Europën, ndërsa Napoli është vetëm 1 pikë larg Romës së vendit të dytë, pra me shpresa të plota për të shkuar drejtpërdrejt në Ligën e Kampionëve.
Skuadra e Mauricio Sarrit ishte vazhdimisht më e mirë sesa ajo vendase, duke krijuar disa raste dhe duke pasur ndeshjen nën kontroll. Elseid Hysaj edhe një herë ishte titullar pa asnjë diskutim. Pas 34 javësh, Napoli ka 74 pikë ndaj 75 të Romës, ndërsa Interi mbetet poshtë me 56 në vend të shtatë.
Sfidanti.al