Sulmuesi legjendar anglez, Tedi Sheringem, kritikoi trajnerin e Mançester Junajtidit, Zhoze Murinjo, lidhur me një metodë të këtij të fundit që ai e ka përdorur edhe kur ka drejtuar klube të tjerë. Sheringemi që, gjatë karrierës së tij, ka luajtur me “djajtë e kuq”, thotë se është e palejueshme që një trajner t’i kritikojë publikisht lojtarët e vet, sikurse është rasti i Murinjos që, kohët e fundit, kritikoi futbollistët Marsial, Sho e ndonjë tjetër. “Unë kam luajtur nën drejtimin e disa trajnerëve të mëdhenj dhe kurrë nuk jam kritikuar publikisht nga ndonjëri prej tyre.
Ser Aleks Fergusoni, asnëherë, nuk e ka bërë këtë, po ashtu, as Teri Venejbëlls dhe këta, për mua, janë trajnerë të mëdhenj”, tha Sheringemi në programin “Talksport”, ndërsa shtoi: “Atë që kishin për ta thënë ata, ta thonin në dhomën e zhveshjes ose në zyrën e tyre, madje mund edhe mund të dënonin financiarisht, por, asnjëherë, nuk do të sulmonin ty përmes medias”, tha Sheringemi që me Junajtidin ka fituar tre tituj kampioni të Premier Ligës, FA Kupën dhe një Ligë të Kampioneve.
Sfidanti.al