Milani u turpërua nga Lila? i ka ndodhur Liverpulit, Bajernit, Junajtidit!

Një humbje 0-3 mund të duket një gjë e madhe, sidomos kur nuk e provon këtë shije që nga 8 marsi i këtij viti. Kaq kishte Milani pa pësuar disfatë në të gjithë “frontet”, por ja që doli një ekip “i mallkuar” me emrin Lilë dhe ia bëri jo “8 me 2”, por “3 me 0”. Gjithë ajo histori suksesi që vinte duke u rritur, me Zllatan Ibrahimoviçin në ballë, u rrëzua përdhe, ndërsa heroi në “San Siro” ishte një sulmues turk me emrin Jusuf Jazexhi me 3 golat e tij, të parin nga penalltia dhe dy të tjerët nga loja. Ibra, që sapo kishte fituar Topin e Artë të Suedisë (të 12-in në karrierë) nuk mundi të ishte ndikues në një përballje ku francezët ishin shumë më lart. Kjo bëri që Lila të ngjitej në vend të parë në grupin e Ligës së Europës me 7 pikë ndaj 6 të Milanit dhe 3 të Spartës së Pragës që triumfoi 4-1 në fushën e Sëlltikut. Trajneri Pioli me siguri që doli shumë i mërzitur nga stadiumi, por ai duhet të kujtojë se në këtë sezon “të çmendur” e kanë pësuar edhe skuadra të tjera. Bajerni i madh u mund 1-4 në fushën e Hofenhajmit në Bundesligë, Liverpuli u shkatërrua 2-7 nga Aston Vila dhe Mançester Junajtidi humbi 1-6 në “Old Traford” ndaj Totenhemit.

Sfidanti.al