Milani po mendon për të ardhmen, teksa pas fitores ndaj Udineses dhe rrezatimit të ideve të reja taktike nga trajneri Sérgio Conceição, drejtuesit janë fokusuar te emërimi i një drejtori të ri sportiv. Sipas asaj që raporton ‘Sky Sport’, profili i Igli Tares është rikthyer fuqishëm në garë, veçanërisht pas dështimit të pistës Fabio Paratici-t. Madje, pritet një takim mes Tares dhe krerëve të Milanit gjatë javës së ardhshme për të diskutuar mundësinë e një bashkëpunimi. Ish-drejtori sportiv i Lazios, me përvojën dhe sukseset e tij në Serinë A, shihet si një profil ideal për të ndihmuar në rindërtimin e projektit teknik të kuqezinjve. Nga ana tjetër, ndeshja në Udine solli edhe shqetësime për tifozët, pasi portieri Mike Maignan pësoi një goditje dhe u detyrua të largohej. Francezi do të qëndrojë disa ditë pushim dhe të martën do të bëjë kontrolle për të marrë “ok”-in për t’u rikthyer në stërvitje në Milanello. Synimi është të jetë gati për sfidën ndaj Atalantas dhe më pas për derbin ndaj Interit. Për të qetësuar fansat, Maignan ka reaguar në rrjetet sociale me një mesazh pozitiv e me humor: “Përparësia e të qenit kokëfortë është se ke kokën e fortë… Gjithçka është në rregull, falë Zotit. Faleminderit për mbështetjen dhe mesazhet tuaja! I kam vlerësuar shumë.”
sfidanti.al