Milani di të fitojë edhe me mungesa, por Pioli kërkon më shumë se 30 minuta!

E rinisi kampionatin aty ku e la, si një ekip me lojë sulmuese dhe me fantazi e kombinime, por edhe me mbrojtje që vazhdon të “fusë ujë”. Një 4-2 ndaj Udinezes nuk është aspak për t’u hedhur poshtë në startin e Serisë A, aq më tepër që veteranët e sulmit si Zhiru dhe Ibra nuk ishin. Trajneri Stefano Pioli ka aftësinë që të përshtatet me çdo mungesë dhe ta bëjë ekipin që të fitojë e të luajë mirë. Në formacion një Kruniç jo aq shumë i vlerësuar, dhe një Rebiç gjithashtu i cilësuar me hope, por që shënoi dy gola. Gjithsesi, analizat në Itali ishin paksa me rezerva pasi Milani ishte në 2-2 deri në 46’ dhe në 3-2 deri në 68’. Edhe Pioli detyrohet të tërheqë veshin e të tijve. “Një gjysmë ore futboll i madh, por duhet të jemi më të vazhdueshëm”, – u shpreh tekniku. Gjithsesi, Pioli e ka ndryshuar ekipin në vetëm 2-3 vjet dhe Milani jep sot shumë më tepër besim si dhe kënaqësi.

Sfidanti.al