Mos vallë do të jetë Nejmari, heroi i këtij sezoni tek Paris SG?!

Tre gola dhe 3 asistë në vetëm 2 ndeshje të Ligës së Parë nuk janë aspak gjë e vogël, edhe pse kampionati francez nuk është vlerësuar sa një Premier Ligë, La Ligë apo Seri A. Gjithsesi, duket se Nejmari më në fund po jep atë që prisnin tifozët e Paris SG që kur ai mbërriti në 2017, pra paraqitje me nivel tepër të lartë, gola dhe asistë, si dhe lojë në ndihmë të skuadrës e padyshim të vetvetes. Një Nejmar i tillë ndoshta nuk ishte parë shpesh as kur ishte tek Barcelona, dhe me gjasë i ka bërë mirë “fshesa” që e kërcënoi për ta larguar nga Parisi. Pasi shënoi 1 gol e shërbeu 3 asistë në fitoren 5-0 në fushën e Klermonit, sulmuesi brazilian pati 2 gola në suksesin 5-2 ndaj Monpeljesë në “Parkun e Princave”. Një transformim rrënjësor nga një talent tepër i madh, që jo më kot po i afrohet rekordit të golave të Pelesë me Brazilin. Me një Nejmar të tillë, treshja sulmuese e PSG-së, që ka edhe Mbapenë (shënoi gol ndaj Monpeljesë) e Mesin (dha një asist) bëhet edhe më e frikshme.

Sfidanti.al