I pari thotë se sfida në “San Siro” nuk do të jetë vendimtare, edhe pse jemi në javën e 22-të të Serisë A. Stefano Pioli me gjasë dëshiron t’u heqë presionin lojtarëve të Milanit për Derbin e Italisë ndaj Juventusit, sonte në 20:45, ndaj edhe flet si me shpengim. “Me Juven nuk do të jetë vendimtare, – thotë ai, – skuadra ime luan me forcë, me besim dhe me vendosmëri. Ibra mund të na ndihmojë shumë, por ndaj Juves, Milani ka në dispozicion shumë zgjedhje teknike dhe taktike”. Gjithsesi, trajneri kuqezi pranon se “ndeshja mund të jetë e rëndësishme për renditjen”. Këtë gjë e pohon edhe trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri. “Ndaj Milanit është një ndeshje që vlen për renditjen, – thotë ai, – duhet të mbetemi pranë vendeve të para për të qenë në pozicion të mirë në shkurt. Të gjithë jemi mirë, me përjashtim të Bonuçit e Ramsejt. Dibala është i qetë dhe i kthjellët, do të na ndihmojë shumë”. Milani ka 48 pikë në vend të dytë të Serisë A, ndërsa Juventusi ka 41 në vend të 5-të.
Sfidanti.al