Guardiola: Broja dhe Adams, shumë të vështirë për t’u mbuluar!

Mund të cilësohet trajneri më i famshëm dhe më i mirë i botës për momentin. Pep Guardiola arriti të fitonte pikën e 500-të në drejtimin e Mançester Sitit në Premier Ligë, ndërsa pas ndeshjes u detyrua të fliste për dy sulmuesit e kundërshtarit, Sauthemptonit, që nuk e lejoi të arrinte fitoren e 13-të radhazi. “Ata mbrojnë në mënyrë pabesueshmërisht të mirë, – tha katalanasi, – dhe kanë kundërsulm tepër të rrezikshëm, edhe pse ne e qarkulluam topin shumë mirë. Armando Broja dhe Çe Adams janë shumë të vështirë për t’u mbuluar, janë shumë të fuqishëm, edhe mund të them se lojtarët tanë ia dolën të luftonin siç duhet me ta”. Guardiola nuk vazhdoi më gjatë për sulmuesin e kombëtares së Shqipërisë, por e vërteta është që Broja “u bëri glasën” disa herë mbrojtësve të Sitit, dhe pati raste për të shënuar, ndonëse ata vepruan mirë me pozicionin jashtë loje. Sulmuesi 20-vjeçar ishte një nga më të mirë në fushë duke u krijuar probleme mbrojtësve të tillë si Laporte, Ruben Dias, Uolker apo Kanselo.

Sfidanti.al