Pavarësisht se kur vjen puna te kërkesat financiare nuk e ka problem të kalojë çdo limit, në publik është një ekuilibrues i vërtetë. Lionel Mesi ka qenë tek Barcelona dhe mbetet tek Paris SG njeriu që ruan harmoninë, sidomos me sjelljen në fushë dhe me deklaratat për mediat. Kështu bëri edhe së fundmi, i pyetur nga një media amerikanolatine lidhur me raportin e tij me Kilian Mbapenë dhe Nejmarin. Dihet se mes dy yjeve të sulmit ekziston një rivalitet që shpesh kalon kufijtë e normales, ndërsa duket se legjenda argjentinase kërkon të qetësojë “gjakrat”. “Mbape është një lojtar i veçantë, – tha ai, – tepër i shpejt, shpërthyer që e njeh shumë mirë golin. Këtë e ka treguar për vite me radhë, dhe në të ardhmen padyshim do të jetë ndër më të fortët në botë”. Për Nejmarin po ashtu Mesi tha se “njihemi prej kohësh, që kur ishim tek Barcelona dhe fati na bashkoi sërish në Paris”. “Është kënaqësi që luaj me të, çdo ditë që jam në fushë me Nejmarin”, – ishte përfundimi i superyllit të futbollit.
Sfidanti.al