Do të kushtojë shumë, ndaj edhe Barcelona po mendohet gjatë dhe deri në fund. Ende ekziston bindja (jo 100 për qind) se Lionel Mesi do të vazhdojë në “Kamp Nou”, por fakti është se përfundoi edhe sezoni i parafundit i kontratës së tij me katalanasit, dhe firma e re nuk ka ardhur. Një situatë e pazakontë dhe dramatike për klubin më të famshëm të shekullit të 21-të dhe lojtarin e cilësuar si më të mirin e të gjitha kohëve (Maradonës apo edhe Pelesë duhet t’i kërkojmë falje).
Mesi fitoi vetëm Kupën e Mbretit këtë sezon, por sërish u shpall shënuesi më i mirë i edicionit në Europë me 54 gola në 52 ndeshje, si dhe fitoi Këpucën e Artë në Spanjë dhe në Europë me 37 gola në 34 ndeshje të luajtura në ligën spanjolle. Kjo ishte këpuca e katërt e artë për të, më shumë se kushdo tjetër, ndërsa lavdërimet janë të jashtëzakonshme. Është pikërisht Mesi që ngre lart këtë Barcelonë, ishte ai që fitoi Kupën e Mbretit, që ndihmoi në përmbysjen në Champions ndaj PSG-së apo që mundi Realin në “Bernabeu” në kampionat.
Mesi doli shënuesi më i mirë i Kupës, bashkë me Ben Jederin, është ende shënuesi më i mirë në Champions (11 gola ndaj 10 të Ronaldos). Ai ka fituar 30 trofe në karrierë, po aq sa Iniesta, dhe ka fituar 53 për qind të trofeve që ka diskutuar që kur nisi me Barçën. Që nga koha e Pep Guardiolës e deri më sot ka arritur të fitojë 62.5 për qind të trofeve, diçka e jashtëzakonshme.
Sfidanti.al