Ishte minuta e 87-të dhe duhej se Barcelona do të dilte të paktën me një barazim nga “Visente Kalderon”, dhe shpresat për të mbrojtur titullin kampion në Spanjë, do të merrnin një tjetër goditje. Reali do të kishte mundësi të shkëputej, sidomos edhe me një ndeshje më shumë që ka në dispozicion.
Gjithsesi, nuk kishte përfunduar ende. Në fushë ndodhej një lojtar me emrin Lionel Mesi, i cili gjykoi se nuk duhej të përfundonte ashtu. Ylli më i madh i botës ndërhyri tre minuta përpara përfundimit duke e dërguar topin në rrjetën e Atletikos. Barcelona fitoi 2-1 dhe u ngjit në kuotën e 54 pikëve, dy më shumë sesa Reali, që ende nuk ka luajtur në fushën e Vijarrealit.
Një ekip i tronditur nga disfata e rëndë në Champions, dhe nga përçarjet e brendshme që u shfaqën në ndeshjen ndaj Leganjesit në “Kamp Nou”, tregoi se kishte forca për të kaluar momentin e vështirë. Fitorja në një fushë tepër të vështirë si ajo e Atletikos së Simeones tregon se kampionia e Spanjës në fuqi i ka forcat për të fituar sërish titullin, edhe pse Madridi i Zidanit quhet me të drejtë favorit.
Rafinja kaloi Barçën në epërsi në 64’, pas një pjese të parë më të mirë të vendasve. Atleti barazoi me Diego Godinin në 70’, veçse nuk pati klasin dhe momentin për t’ia dalë. Disfata rrezikon që formacioni i Simeones të mos kualifikohet për në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Sfidanti.al